Site icon Telegrafi

Sveçla tregon procedurat e reja për mallrat serbe që hyjnë nga Merdarja

Qeveria e Kosovës dje mori vendim për ndryshimin e masës së sigurisë për mallrat serbe.

Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media bëri të ditur se kjo vlen vetëm për pikën kufitare në Merdar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në pikëkalimin kufitar Merdar, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohen nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.

“Me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdar do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X “, tha Sveçla.

Ai shtoi se pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare.

“Transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare”, ka shkruar Sveçla. /Telegrafi/

Exit mobile version