Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjigjet për akuzat e presidentit, Hashim Thaçi, gjenden në Klinikën e Psikiatrisë.
Sveçla para mediave tha se ekspertët e Klinikës së Psikiatrisë duhet të merren me deklaratat e Thaçit, transmeton Telegrafi.
“Nuk besoj se është koha tash të flasim për këtë, nuk është as vendi. Ne jemi në qendrën e administratës së QKUK-së. Nuk jam unë që duhet të deklarohem për këto. Mendoj se për këtë duhet të deklarohen në ndërtesën ngjitur (Klinika e Psikiatrisë), pra ekspertët që punojnë aty”, ka thënë ai para mediave.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet pas deklaratës së Thaçit që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në PTK dhe se aty kanë ndalur kamerat për tri ditë.
Ndaj deklaratës së Thaçit ka reaguar edhe Kurti, i cili ka thënë ai po gënjen dhe se me të duhet të merret Prokuroria.
“Ato janë gënjeshtra, janë shpifje. Problemi me gënjeshtarët është që nuk mund të gënjejnë njëherë, duhet të gënjejnë përditë, madje disa herë në ditë. Të gjitha ato shpifje për neve nuk besoj se duhej të ishin vetëm pyetjet e juaja për mua por edhe pyetjet e prokurorit të shtetit për presidentin”, ka thënë Kurti sot para mediave. /Telegrafi/