Site icon Telegrafi

Sveçla takoi ambasadoren Butel: Franca vlerëson lartë angazhimin tonë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla priti në takim lamtumirës ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se ministri Sveçla e falënderoi ambasadoren Butel për bashkëpunimin dhe angazhimin e saj në Kosovë e veçanërisht për rolin e saj aktiv në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të Agjencive Ekzekutive të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ambasadorja Butel vlerësoi lartë angazhimin tonë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, e në veçanti falënderoi ministrin për gatishmërinë e ofruar për ndihmë në menaxhimin e zjarreve me të cilat janë ballafaquar tërë Evropa”, thuhet në njoftim.

Republika e Francës dhe Republika e Kosovës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale dhe Sveçla ritheksoi se do të angazhohen në thellimin e mëtejmë të këtyre raporteve.

“Me rastin e përfundimit të misionit të saj tre vjeçar në Republikën e Kosovës, Ministri Sveçla i uroi suksese në angazhimet e mëtutjeshme Ambasadores, Marie Christine Butel”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version