Telegrafi

Sveçla: Sot kishim 72 alarme për bomba në shkolla, nuk ka arsye për panik

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjatë ditës së sotme policia ka marr informacione për mjete shpërthyese në 72 shkolla dhe në Aeroportin e Prishtinës.

Ministri Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se situata ka qenë shqetësuese sidomos kur bëhet fjalë për institucione arsimore të të gjitha moshave, por fatmirësisht, në asnjërin lokacion nuk ka pasur mjet shpërthyes.

“Në Policinë e Kosovës sot janë dhënë informacione për mjete shpërthyese në 72 shkolla në komunat Kamenicë, Lipjan, Zveçan, Graçanicë, Skenderaj, Prizren, Prishtinë, Klinë, Viti, Rahovec, Mitrovicë e Veriut, Ranilluk, Dragash, Artanë, Shtërpcë, Partesh, Fushë Kosovë, Vushtrri, Gjilan, Zubin Potok, Istog dhe informacioni i fundit në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari””, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Policia: Rezultuan të rrejshme 30 alarmet për bomba në objektet shkollore

Më tej Sveçla ka thënë se “njësitet relevante të Policisë së Kosovës kanë dalur menjëherë në lokacionet e lajmëruara duke bërë fillimisht rrethimin e zonave e pastaj kontrollin e detajuar të objekteve. Situata ka qenë shqetësuese sidomos kur bëhet fjalë për institucione arsimore të të gjitha moshave, por fatmirësisht, në asnjërin lokacion nuk ka pasur mjet shpërthyes. Tashmë kanë përfunduar kontrollet edhe në aeroport dhe nuk ka pasur asnjë mjet shpërthyes, puna ka vazhduar me intensitetin e njëjtë”.

“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se nuk ka asnjë arsye për panik apo për t’u shqetësuar. Ne mbesim të përkushtuar që me të gjitha kapacitetet tona, përmes të gjithë mekanizmave tanë të ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Derisa ministri Sveçla thotë se në Policinë e Kosovës janë dhënë informacione për mjete shpërthyese në 72 shkolla, vetë Policia përmes një komunikate ka thënë se kërcënimet për bomba janë bërë në objekte shkollore në 30 lokacione. /Telegrafi/