Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi tre zyrtarë të ministrisë që ai drejton janë arrestuar gjatë së hënës.
Ai thotë se si qeveria janë zotuar se do të jenë të pakomromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Si Qeveri dhe si Ministri, që nga marrja e mandatit jemi zotuar për luftë të pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit e në veçanti ndaj këtyre fenomeneve të rrënjosura me vite të tëra brenda institucioneve tona. Kemi ofruar dhe dhënë mbështetjen e plotë ndaj organeve të rendit dhe kemi adresuar çdo keqpërdorim që kemi evidentuar që nga marrja e detyrës”, ka shkruar ministri i Brendshëm.
Sveçla ka thënë se aksioni i sotëm është kryer në Departamentin e Prokurimit në MPB.
“Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar sot aksion në Ministrinë e Punëve Brendshme, saktësisht në Departamentin e Prokurimit. Me këtë rast, janë arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë si dhe pronari së bashku me një punëtor të një kompanie ndërtimi, katër prej të cilëve sipas njoftimit zyrtar të Policisë janë ndaluar për 48 orë”.
I pari i Punëve të Brendshme ka premtuar se askush nuk do jetë mbi ligjin dhe secili që vepron në kundërshtim me të do të përballet me drejtësinë.
“Tashmë e kemi dëshmuar por ritheksoj se askush nuk do të jetë mbi ligjin. Kushdo që ka vepruar në çfarëdo forme në kundërshtim me ligjin, do të ballafaqohet me drejtësinë”, ka shkruar ndër të tjera Sveçla./Telegrafi/