Telegrafi

Sveçla reagon pasi një grua u gjet e vdekur në lumin Ibër: Dyshohet se kishte rënë para dy ditësh

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi një qytetare serbe u gjet e vdekur këtë të premte në lumin Ibër afër fshatit Zhitkovc të Zveçanit.

Ministri ka bërë të ditur se viktima është 49-vjeçare dhe ka thënë se e njëjta dyshohet se në lum ka rënë para dy ditësh.

Lexo po ashtu Zveçan, gruaja e raportuar e zhdukur, gjendet e vdekur në lumin Ibër

“Shoqata e Kosovës për kërkim dhe shpëtim, zhytësit e klubit “Trepça”, Policia e Kosovës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent dhe banorët e fshatit Zhitkovc të Komunës së Zveçanit, kanë arritur të gjejnë sot trupin e pajetë të qytetares J.Petrovic, 49 vjeçare, e cila dyshohet se kishte rënë para dy ditësh në lumin Ibër”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai tutje i ka shprehur ngushëllime familjes Petrovic, ndërsa ka falënderuar të gjitha ekipet dhe qytetarët e angazhuar për bashkëpunimin e kontributin në gjetjen e të zhdukurës.

“Institucionet tona profesionale do të vazhdojnë me procedurat e mëtutjeshme të këtij rasti”, ka përfunduar ministri. /Telegrafi/