Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti ka shkelur Kushtetutën me vendimin e tij për kufizimin e lëvizjes së njerëzve dhe automjeteve.
Dhe lidhur me këtë, Sveçla ka thënë se thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese, dukje shtuar se zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon.
“Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin. Qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe së bashku t’i zbatojmë masat, që ta fitojmë luftën kundër coronavirusit”.
“Si ushtrues detyre i Ministrit të Punëve të Brendshme, bashkë me të gjithë policët e Kosovës, do të garantojmë që në Republikën e Kosovës askush të mos jetë përmbi ligjin dhe kushtetutën”, ka shkruar ndër tjerash Sveçla.
Postimi i plotë:
Mirëmbrëma të dashur qytetarë. Kërkoj falje që po ju drejtohem në këtë orë të vonë, por jam i detyruar të bëj këtë reagim.
Thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese. Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon.
Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.
Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin.
Qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe së bashku t’i zbatojmë masat, që ta fitojmë luftën kundër coronavirusit.
E ligji nr. 04/L-076 për policinë e sqaron se zyrtari policor është i autorizuar që përkohësisht t’ia kufizojë lirinë e lëvizjes personit në një zonë të caktuar ose ta orientojë lëvizjen e tij në një zonë tjetër, me qëllim që të sigurohet zona e caktuar për t’i arritur objektivat legjitime të policisë apo për t’i mbrojtur personat nga rreziku i përkohshëm. NJË PREJ OBJEKTIVAVE LEGJITIME TË PËRCAKTUARA SHPREHIMISHT NË LIGJ ËSHTË MBROJTJA E PERSONAVE NGA EPIDEMITË.
Si ushtrues detyre i Ministrit të Punëve të Brendshme, bashkë me të gjithë policët e Kosovës, do të garantojmë që në Republikën e Kosovës askush të mos jetë përmbi ligjin dhe kushtetutën.
I ftoj partitë politike dhe mediat, por edhe zyrtarët e lartë shtetërorë që, në kushtet e emergjencës të heqin dorë nga nxitjet kundër qeverisë e nga polarizimi i shoqërisë, sepse kjo nuk ndihmon. Coronavirusi është armiku i të gjithëve, mjaft ia drejtuam shpatat njëri-tjetrit. /Telegrafi/