Site icon Telegrafi

Sveçla: Po punohet për kthimin e bashkatdhetarëve të liruar nga spitali dhe për kthimin e kufomave te familjet e tyre

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ndodhet në Kroaci, është takuar me prefektin e Qarkut të Sllavonska Pozhegës, Danijel Marushiq, drejtorin e Spitalit dr. Samargjiq dhe drejtorin e Policisë së Sllavonska Pozhegës, Antun Valiq.

Në një postim në Facebooku, tha se gjatë takimit u njoftua në detaje mbi të gjitha informatat e nevojshme sidomos mbi gjendjen e pacientëve, gjersa shtoi se vazhduan me vizitën në spitalin e qytetit ku takuan gjithë pacientët e shtrirë aty.

Sveçla shtoi se ka përmirësim të gjendjes së tyre pasi vërehej përkujdesje maksimale e gjithë stafit mjekësor.

“Tashmë 26 bashkëqytetarë tanë gjatë ditës lirohen nga spitali”, th ai.

Sipas tij, nga 16 pacientë të lënduar më rëndë për të cilët trajtimi spitalior vazhdon, dy janë në kujdes intenziv me njërin nga ta në gjendje stabile.

“Tashmë po punohet për kthimin e bashkatdhetarëve të liruar nga spitali si dhe kthimin e kufomave te familjet e tyre, në vend të tyre. Edhe njëherë duhet falemnderuar shtetin kroat e gjithë zyrtarët e angazhuar për përkujdesjen shembullore në këtë tragjedi”, u shpreh ministri./Telegrafi.

Exit mobile version