Telegrafi

Sveçla për rastin e 35 vjeçares: Kam kërkuar hetim për të gjitha veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve policorë në secilën instancë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me vrasjen e 35-vjeçares H.M në oborrin e QKUK-së.

Sveçla ka thënë se është i tronditur nga kjo vrasje makabre.

“Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj.Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili”, ka shkruar Sveçla në një reagim në Facebook.

Ministri më tej ka theksuar se arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti, derisa ka ftuar edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces.

“Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.

Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka shtuar se janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë./Telegrafi/