Telegrafi

Sveçla për bastisjen e një shtëpie në veri: Është përdorur për shpërndarje të armatimit te grupet kriminale serbe

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje për bastisjen e policisë që u zhvillua këtë të martë në një bazë të armatimit në Zveçan.

Ai ka bërë të ditur se shtëpia ku është gjetur dhe konfiskuar një sasi e armatimit, është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

“Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Lexo po ashtu Armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv – Policia gjen armatim në Zveçan

Ministri tutje ka thënë se për dy dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi.

“Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm”, ka shkruar ai.

“Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”.

Megjithatë sipas Sveçlës, veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit.

“Rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/