Site icon Telegrafi

​Sveçla mirëpret vendimin e SHBA-së: Sot u legjitimua lufta jonë ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas vendosjes së sanksioneve ekonomike të SHBA-së ndaj grupit kriminal në veri, me në krye Zvonko Veselinoviq.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se me këtë u legjitimua aksioni i Policisë së Kosovës në veri, me ç’rast mbetën të lënduar disa zyrtar policorë si pasojë e rezistencës së serbëve lokalë.

“Sot u legjitimua lufta jonë ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar, specifikisht në veri, ku struktura të caktuara kanë rezistuar sa herë kanë qenë cak i shkatërrimit. Mirëpres sanksionin e SHBA-së ndaj grupit kriminal me fushëveprim në Serbi dhe në Kosovë dhe ritheksoj se mbesim të pa kompromis në luftimin e krimit, kontrabandës e korrupsionit që cenojnë rendin dhe sigurinë kudo në Kosovë”, shkruan Sveçla.

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione ndaj dhjetra individëve dhe subjekteve në Evropë dhe hemisferën perëndimore, përfshirë një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.

Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit shënjestëroi të mërkurën grupin e afaristit serb Zvonko Veselinoviç.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës, për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

Exit mobile version