Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media ka bërë të ditur se mbrëmë në Kosovë kanë arritur edhe 113 shtetas të tjerë afganë.
“Pas kërkesës zyrtare të SHBA-ve dhe NATO-s për strehim të shtetasve afganë, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’iu ofroj strehim dhe mbrojtje të përkohshme. Ne kemi mbërritjen e dy grupeve të shtetasve afganë, i fundit ka qenë mbrëmë pas mesnate ku 113 shtetas afgan bashkëpunëtor të NATO-s së bashku me familjarë të tyre kanë ardhur janë proceduar sipas ligjeve të Kosovës dhe janë akomoduar në ish kampin e Bechtel Enkas në afërsi të Ferizajt”, ka thënë Sveçla.
Ai ka njoftuar se sot do të realizohet edhe një fluturim tjetër ku do të arrijnë edhe 139 shtetas të tjerë nga Afganistani.
“Sot pritet të kemi një fluturim të ri, 139 shtetas afganë prapë bashkëpunëtor të NATO-së, dhe të cilët sikurse edhe në dy rastet e mëhershme do të procedohen bazuar në vendimet dhe ligjet e Kosovës dhe do të vendosen për strehim në këtë kamp. Vendimet e qeverisë flasin për strehim të përkohshëm të këtyre shtetasve afganë”, u shpreh ministri Sveçla.
Sveçla shtoi se deri më tani nuk kemi asnjë shtetas që ka qenë i infektuar nga COVID-19, apo nga sëmundje tjera. /Telegrafi/