Deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla ka reaguar pas deklaratave të presidentit të vendit, Hashim Thaçi në seancën gjyqësore ndaj rastit të organizatës “Syri i Popullit”, ku deklaroi se pas kësaj organizate kriminale qëndron Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Thaçi e Veseli pasi që e panë se Lëvizja është konsoliduar dhe po rritet shumë, po tentojnë të përdorin mjetin e fundit që i ka mbetur në dorë: angazhimin e aparatit shtetëror të dhunës përmes shpifjeve nëpër gjykata ku i kanë caktuar vet prokurorët e gjyqtarët.
“Ata duan të na shohin në burg, pasi e dinë se ardhja jonë në pushtet do ta çlironte gjyqësorin e Kosovës, për të dënuar përgjegjësit kryesor të varfërisë e krimeve në Kosovë – pra ata!”, ka shkruar Sveçla.
Postimi i plotë:
Pasi e panë që Lëvizja është konsoliduar dhe po rritet shumë në anëtarësime e sondazhe, Thaçi e Veseli po tentojnë të përdorin mjetin e fundit që i ka mbetur në dorë: angazhimin e aparatit shtetëror të dhunës përmes shpifjeve nëpër gjykata ku i kanë caktuar vet prokurorët e gjyqtarët. Ata duan të na shohin në burg, pasi e dinë se ardhja jonë në pushtet do ta çlironte gjyqësorin e Kosovës, për të dënuar përgjegjësit kryesor të varfërisë e krimeve në Kosovë – pra ata!. Ata mendojnë se do e ndalin Lëvizjen me kërcënime e me arrestime të orkestruara politikisht, në mënyrë që të shtrojnë rrugën për krimin më të madh ndaj vendit: copëtimin e Kosovës dhe ringjalljen e “Zajednicës”. Ata kështu po planifikojnë, por plani i tyre ka për t’u rrëzuar bashkë me pushtetin e tyre kriminal.
Edhe humbës, edhe palaço. Kështu do të përfundoni. /Telegrafi/