Telegrafi

Sveçla: Kush i kërkoi Prokurorisë Speciale që me nxitim të flasë pjesshëm për çështjen e Deharit?

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i është bashkuar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, në akuzat kundër Prokurorisë Speciale të Kosovës, lidhur me çështjen e Astrit Deharit.

Sipas Sveçlës, Specialja ka nxituar për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari.

“Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Ai ka pyetur se “kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës”.

Mes tjerash, ministri Sveçla ka thënë se ky rast duhet të hetohet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim.

“Drejtësia për të duhet të vijë në vend. Dhe në anën tjetër organet të cilat merren me këtë çështje duhet të jenë shumë të kujdesshme”, ka shtuar më tej ai.

Në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, ka thënë se do të angazhohem që përbrenda kompetencave që ka, të kontribuojë pa kursim në sjelljen e drejtësisë për Astritin.

“Si shok i Astritit, s’do të rreshti së kujtuari atë dhe qëllimet tona të përbashkëta, për idealet që s’na vdesin kurrë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë ka akuzuar sot Prokurorinë Speciale të Kosovës se ka manipuluar dhe propaganduar me ekspertizën e Institutit Zviceran për rastin e Astrit Deharit. Përmes një komunikate për media, nga ky dikaster kanë thënë publikimi i raportit nga Prokuroria Speciale ende pa e pranuar familja raportin “dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje!”./Telegrafi/