Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svçela është rikthyer sërish në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për të vazhduar raportimin e tij, pasi që i njëjti u ndërpre për shkak të përplasjeve që pati me kryetarin e këtij komisioni Bekë Berisha.
Sveçla kërkoi falje për ngjarjen që ndodhi duke thënë se “Me kënaqësi kam pranuar ftesën për të ardh për të raportuar. Nuk jam i gatshëm të bëhem pjesë e lojërave apo fushatave të ndryshme”.
Mbledhjen e Komisionit po e kryeson zëvendëskryetari Enver Dugolli, për dallim nga paraditja ku mbledhjen e kryesonte kryetari Bekë Berisha, por që për shkak të përplasjeve u ndërpre.
Tensionet në komision filluan pasi ministri Sveçla kërkoi të raportonte së bashku me drejtorin e Policisë, por që një gjë të tillë e refuzoi drejtori i Komisionit, Bekë Berisha.
“Mos me shit mend ti mu këtu”, iu drejtua Bekë Berisha ministrit Sveçla. /Telegrafi/