Site icon Telegrafi

​Sveçla kërkon hetim ndaj zyrtarit për të cilin u raportua se po e shfrytëzon parkingun e MPB-së për biznes

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka deklaruar se ka kërkuar hetim ndaj një zyrtari të MPB-së, për të cilin u raportua se po e shfrytëzon parkingun e pronës së këtij institucioni për vetura me qira.

Sveçla ka bërë të ditur se do të inicojë auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu.

“Pas një pune të shkëlqyeshme të gazetarëve në demaskimin dhe shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore nga një zyrtar përgjegjës që do të duhej të siguronte mbarëvajtjen e punëve të transportit dhe parkingut të objektit të Qeverisë, menjëherë kam kërkuar nga Policia e Kosovës të fillojë hetimet për të gjitha shkeljet ligjore.

Po ashtu, nga dita e parë e punës do të inicoj auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu. Në të njëjtën kohë edhe Komisioni Disiplinor pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të angazhohet për të identifikuar të gjitha shkeljet dhe të ndërmarrë masat e parapara me ligj”, ka pohuar ministri.

Sveçla ka theksuar se deri tani mbi 300 zyrtarë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, transmeton Telegrafi.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, jemi angazhuar maksimalisht që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kemi vepruar pa asnjë mëdyshje. Mbi 300 zyrtarë publikë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, pohoi ai.

Ministri në reagimin e bërë në Facebook ka falënderuar gazetarët për punën në zbardhjen e keqpërdorimit në fjalë.

“Përgëzoj gazetarët për punën e tyre në zbardhjen e keqpërdorimit në fjalë, si dhe ritheksoj gatishmërinë për bashkëpunim në evidentimin dhe marrjen e masave ndaj çdo keqpërdorimi që bëhet mbi kurriz të shtetit dhe qytetarëve tanë”, ka shtuar tutje ministri. /Telegrafi/

Exit mobile version