Site icon Telegrafi

Sveçla: Kam kërkuar angazhim maksimal nga policia për arrestimin e autorit të krimit në Gllogjan

Foto: Arkiv

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas ngjarjes tragjike në Gllogjan, ka ndërprerë vizitën dhe aktivitetet në Shqipëri dhe është nisur për Deçan.

Ai, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më parë.

“Lajme të tilla lëndojnë çdo zemër njerëzore. Jam thellësisht i shqetësuar dhe i tronditur prej aktit kriminal që ka ndodhur sonte në Gllogjan të Deçanit”, ka shkruar Sveçla.

“Bashkëndjejmë me familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre dhe lutemi për shërimin e të plagosurve”.

“Menjëherë e kam ndërprerë vizitën dhe aktivitetet e parapara në Shqipëri dhe jam rrugës për në Deçan. Ndërkohë, kam qenë dhe jam në telefon me drejtuesit e forcave të rendit, për pasojë nuk kam mundur t’i drejtohem më herët opinionit publik. Kam kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më parë”, ka shkruar ministri Sveçla. /Telegrafi/

Exit mobile version