Telegrafi

Sveçla: Ende nuk është e qartë se nga ka ardhur urdhri për deportim të gjashtë shtetasve turq

Xhelal Sveçla, kryetar i Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq sot pas mbledhjes së këtij Komisioni ku ka raportuar ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi tha se gjatë kësaj periudhe hetimore kanë dëshmi të mjaftueshme për shkelje ligjore dhe tejkalim të kompetencave.

Sveçla një deklaratë për media tha se shumë të gjetura nuk mund të bëhen publike, por sipas tij, ka tendenca që akuzat, përgjegjësitë dhe faji të hidhen nga një institucion në tjetrin.

“Do të vazhdojmë me intervistimin e zyrtarëve të lartë të Kosovës deri në momentin kur dalim me një raport, i cili sinqerisht besojmë se do të pasqyrojë të gjithë atë se çfarë ka ndodhur”, tha Sveçla, raporton Telegrafi.

Lexo po ashtu Komisioni hetimor evidenton shkelje ligjore në deportimin e gjashtë shtetasve turq

Ai tha se po synojnë të identifikojnë përgjegjësit kryesor në këtë rast.

Sipas tij, deri tani ende nuk kanë qartësi se nga ka ardhur urdhri për deportim të gjashtë shtetasve turq, por tha se beson se do të shkojnë drejt identifikimit.

Sveçla bëri të ditur se Komisioni hetimor që ai e udhëheq ka mandat edhe një muaj dhe gjatë kësaj kohe duhet ta dorëzojnë raportin. /Telegrafi/

Foto: Arkiv