Telegrafi

Sveçla dhe Mehmeti monitorojnë situatën në pikë kalimin kufitar të Merdares

Ministri i Punëve të Brendshme  Xhelal Sveçla  dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, vizituan pikë kalimin kufitar Merdare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo vizitë ishte e një rëndësie të veçantë, thotë MBP, ku Sveçla dhe Mehmeti takuan zyrtarët policorë të cilët ishin në detyrë dhe panë nga afër zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve.

Ky vendim obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

“Me qëllim të shmangies së pritjeve të mundshme, në këtë pikë kalim kufitar, janë ndërmarrë masat e nevojshme për të reduktuar në maksimum pritjet, duke shtuar kapacitetet e burimeve njerëzore dhe duke vënë në funksion (6) korsi për qarkullim, prej tyre (4) korsi për automjete dhe (2) korsi për mjetet transportuese, përfshirë atë të transportit të udhëtarëve”, thuhet në njoftim.

Vlen të potencohet se në nga ana kosovare nuk ka pritje, përveç realizimit të procedurave të kontrollit kufitar të cilat zgjasin afërsisht nga (3 – 5) minuta.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme./Telegrafi/