Telegrafi

Sveçla apel qytetarëve: Mos ndizni zjarre, përndryshe do të jemi të pakompromis ndaj atyre që po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se janë duke punuar me kapacitetet e plota për të shuar zjarret dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në zonat ku janë shfaqur vatrat e zjarreve.

Sveçla përmes një postimi në Facebook, tha se përkundër temperaturave të larta kanë hasur edhe në raste të zjarrvënies së qëllimshme, ku policia ka arrestuar dy persona.

“Mobilizimi i të gjitha institucioneve tona nuk do të jetë i mjaftueshëm në këto situata nëse mungon përgjegjësia qytetare. Prandaj, ju bëjë thirrje qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdesin maksimal, që në asnjë rast dhe rrethanë të mos të ndezin zjarre, përndryshe ne do të jemi të pa-kompromis ndaj sjelljeve të tyre të cilat po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm”, ka shkruar Sveçla.

Postimi i plotë:

Që nga e premtja zjarret kanë kapluar disa lokacione në komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme ka aktivizuar menjëherë Qendrën Operative e cila aktualisht është duke koordinuar të gjitha veprimet e ekipeve reaguese në terren.
Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i janë duke punuar me kapacitete të plota për të shuar vatrat e zjarrit, duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione.
Vetëm dje gjatë ditës, kemi pasur vatra aktive të zjarrit në këto komuna:
• Suharekë: Bukosh, Krushicë, Gjinovc, Reqan, Shirokë, Dubravë dhe Vraniq
• Gjakovës: Nec dhe Babaj të Bokës
• Prizren: bjeshkët e Oshllakut
• Pejë: Shtupeq
• Malishevë: Kravasari
• Artanë: Parallovë
• Mitrovicë e Veriut: Kushtovë e Vllahisë
• Zveqan: Rudinë
• Zubin Potok:Bube
• Fushë Kosovë: Kozmin
Është shumë me rëndësi të theksoj se përkundër temperaturave të larta ne kemi hasur raste të zjarrvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta.
Mobilizimi i të gjitha institucioneve tona nuk do të jetë i mjaftueshëm në këto situata nëse mungon përgjegjësia qytetare. Prandaj, ju bëjë thirrje qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdesin maksimal, që në asnjë rast dhe rrethanë të mos të ndezin zjarre, përndryshe ne do të jemi të pa-kompromis ndaj sjelljeve të tyre të cilat po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm. /Telegrafi/