Site icon Telegrafi

Sveçla: Ajo që ndodhi në Jarinë, ishte episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas ngjarjeve të së dielës, të ndodhura në anën serbe të kufirit në afërsi të Jarinjes.

“Sot, në anën serbe të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ministri i Punëve të Brendshme thotë se ditëve të fundit në Kosovë janë futur elemente që kanë lidhje me grupin famëkeq rus Wagner.

“Të njëjtët aktorë joshtetërorë, por të cilët i përdor edhe regjimi në Beograd edhe ai në Moskë, të përfaqësuar nga Damnjan Knezheviqi (bashkëpunëtor i organizatës paramilitare famëkeqe ruse Wagner), u mësynë që ta thejnë këtë pikëkalim kufitar”.

“Ditët e fundit, aktorë të tjerë shtetërore e joshtetërorë të këtyre dy vendeve, që janë të vetmet, që nga Lufta e Dyte Boterore, që ndëzën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu”.

Ai thotë se këto grupe po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin e Kosovës me provokime të ndryshme.

“Të armatosurit e maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen edhe të qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë, po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin tonë, duke nxitur provokime agresive në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, ku siç po shihet Putini po e humb luftën”.

“Ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë qëllimin ruso-serb, duke ngulur këmbë që mos t’i nënshtrohemi në asnjë mënyrë mashtrimit të madh që po përpiqen t’ia bëjnë Serbia dhe Rusia një pjesë të qytetërimit evropian!”.

Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka kapacitete për t’u përballur me këto struktura kriminale.

“Por, gjithashtu dua të siguroj të gjithë  qytetarët tanë se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka gjitha kapacitetet e nevojshme te përballet me këto struktura kriminale dhe se ne po bëjmë gjithë vlersimet e nevojshme për mënyrën më efikase dhe kohën e përshtatshme për këtë. Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe të luftojmë grupet kriminale pa dallim, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të republikës sonë”, ka shkruar tutje Sveçla./Telegrafi/

Exit mobile version