Telegrafi

Svarqa tregon projektet që i ka realizuar në Ferizaj dhe ato që planifikon t’i realizojë  

Komuna e Ferizajt ka vite të tëra që ka vuajtur jo vetëm për një përfaqësim më dinjitoz nëpër institucionet e nivelit qendror, por edhe për financim të projekteve infrastrukturore në dobi të jetës së qytetarëve.

Mirëpo viteve të fundit është vërejtur një gatishmëri më e madhe që projekte madhore të realizohen edhe këtu me mjete të qeverisë së Kosovës, ndonëse krahas numrit të banorëve dhe kontributit në mbushjen e arkës së shtetit ende Ferizaj mbetet jo i vlerësuar mirë.

Këto ditë banorë të fshatrave Dardani, Mirosalë, Pojatë e Softaj i janë gëzuar fillimit të punimeve për një projekt madhor, i cili do të shtrihet nëpër lokalitetet ku jetojnë ata.

Vjen një rrugë 7 kilometërshe që lidh këto fshatra dhe do të ndikojë në përmirësimin e jetës së tyre, por edhe në zhvillimin ekonomik të kësaj ane, ndërsa projekti po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës gjatë këtyre 4 viteve të fundit.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa ka thënë se i është dashur të jetë mjaft këmbëngulës kur ka dërguar projekte nëpër Ministritë e ndryshme dhe ka pasur mjaft punë deri sa janë përfunduar të gjitha bisedimet për realizim të suksesshëm të këtyre projekteve.

Ai përmend se vetëm nga Ministria e Infrastrukturës janë investuar rreth 20 milionë euro në Ferizaj gjatë viteve të fundit, ku hyn edhe projekti i rrugës për në fshatin Mirosalë i filluar këto ditë.

“Është një segment modern që i ka munguar komunës së Ferizajt dhe deri më tani banorët e këtyre fshatrave për të mbajtur lidhjet farefisnore është dashur të marrin rrugën në drejtim të Ferizajt, prandaj ne po lirojmë qarkullime dhe po i lidhim fshatrat mes vete ashtu siç janë të lidhura në mënyrë organike edhe përmes lidhjeve farefisnore. Unë jam i lumtur që ne po realizojmë projekt tepër të rëndësishme e të paparë ndonjëherë në të gjitha qeveritë e pasluftës”, tha ai.

Përfitimet që ka pasur komuna e Ferizajt vetëm nga Ministria e Infrastrukturës janë mbi 20 milionë euro.

“Janë këto përftime që i japin kuptim edhe zhvillimit të përgjithshëm të komunës së Ferizajt si njëra ndër komunat industrialisht më të zhvilluara në Kosovë, sepse asfaltimet ne i kuptojmë edhe si infrastrukturë paraprake edhe për vendosjen e bizneseve të fuqishme”, ka deklaruar Svarqa, duke shtuar se vetëm projekti i filluar së fundi ka një kosto prej 700 e 80 mijë eurosh.

E sipas një memorandumi të nënshkruar në mes komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Infrastrukturës janë planifikuar të realizohen edhe disa projekte të tjera siç janë rregullimi i rrugës Prelez i Jerlive – Muhoc – Lloshkobare, zgjerimi i rrugës “Brahim Ademi”, “Driton Islami”, asfaltimi i rrugës Babush – Tërrn – Luboc – Koshare – Slivovë.

Po ashtu janë planifikuar ndërtimi i unazës së jashtme në Ferizaj që përshkon fshatrat Prelez i Jerlive, Kosinë, Llojzë – Dramjak – Nerodime, ndërtimi i nënkalimit për automjete te hekurudha, në fshatin Varosh, zgjerimi i rrugës Komogllavë – Tërstenik – përmes lagjes Qarkoshëve, e cila lidh Ferizajn me Vitinë përmes një segmenti më të shkurtër, asfaltimi i rrugës Greme – Burrnik – Gaçkë.

Ndërkaq, projektet e përfunduara në vitin e kaluar e që janë financuar nga Ministria e Infrastrukturës në komunën e Ferizajt janë: ndërtimi i nënkalimit në fshatin Sojevë, asfaltimi i rrugës Ferizaj – Nerodime – Jezerc, ndërtimi i rrugës Mushtisht-Budakovë- Jezerc si dhe asfaltimi i rrugës “Besim Ndrecaj” kazerma e FSK-së – Epopeja e Jezercit.