Telegrafi

Svarqa: Gjatë kohës që ne e drejtuam Ferizajn, u hapën 4 mijë biznese të reja (Video)

Kandidati për kryetar të Ferizajt, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muharrem Svarqa, ka theksuar se njëri nga prioritet e tij në mandatin e ardhshëm edhe përfundimi i projekteve të cilat i ka nisur gjatë këtij mandati.

Ai në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se në vargun e angazhimit të tij, nëse e merr besimin e qytetarëve përsëri, do të jenë zgjerimi i hapësirave arsimore, shëndetësore, sportive, infrastrukturore dhe intensifikimi i zhvillimit ekonomik në komunë, duke mos lënë pa përmendur edhe nivelin e lartë të sigurisë që e ka kjo komunë, gjatë viteve që e ka drejtuar ai Ferizajn.

“Ne kemi asfaltuar rrugë, ku janë koncentruar bizneset e vogla dhe të mesme, e të cilat mendojmë t’i mbështesim përmes subvencionimit, duke shtuar se Ferizaj tashmë ka marrë primatin e një komune të zhvilluar. Për një mandat e ka rritur fuqinë ekonomike kjo komunë me 4 mijë biznese të reja”, ka theksuar Svarqa.

Ai më tutje ka folur edhe për punët që i ka bërë komuna në mbështetje të familjeve të pastreha, duke theksuar se janë ndërtuar 45 shtëpi për ata që e kanë pasur problem strehimin. Ai po ashtu ka thënë se janë liruar edhe 40 banesa që kanë qenë të uzurpuara, e të cilat i janë ofruar familjeve në nevojë, me theks të veçantë atyre që kanë dalë nga lufta. /Telegrafi/