Site icon Telegrafi

Suspendohet Mourinho dhe gjobitet Roma për sjelljen në finalen e Ligës së Evropës

(Foto: Getty Images)

UEFA e ka gjobitur Romën dhe e ka pezulluar Jose Mourinhon për katër ndeshje për shkak të sjelljes së tij në finalen e Ligës së Evropës.

Giallorossët krijuan epërsi ndaj Sevillas, mirëpo një autogol nga Gianluca Mancini, i barazoi shifrat dhe e dërgoi ndeshjen në penallti, të cilën e fituan andaluzianët.

Mourinho nuk e pranoi humbjen mirë dhe ishte xhiruar duke e ofenduar gjyqtarin Anthony Taylor në një parking automjetesh pas ndeshjes.

Gjyqtari anglez më pas kishte qenë subjekt ofendimesh nga tifozët e Romës në aeroport gjatë kthimit në shtëpi.

Lexo po ashtu Kaos në aeroportin e Budapestit: Tifozët e Romës sulmojnë gjyqtarin anglez Taylor, fluturojnë edhe karriget

Sot (e mërkurë) është njoftuar se strategu portugez është suspenduar me katër ndeshje nga garat e UEFA-s që do të thotë se do të mungojë në katër takimet e para të Giallorossëve në Ligën e Evropës në edicionin e ardhshëm.

Në anën tjetër, Romës i është shqiptuar gjoba prej 50.000 eurosh dhe i është ndaluar shitja e biletave në një ndeshje si mysafir, për shkak të pranisë së fishekzjarrëve në tribuna, hedhjes së gjësendeve, akteve të dëmtimit kriminal dhe shqetësimit të përgjithshëm të turmës.

Lexo po ashtu Mourinho i acaruar e priti me fyerje dhe sharje gjyqtarin në parkingun e autobusit

Po ashtu, klubi italian është gjobitur me 5.000 euro të tjera për shkak të sjelljes së ekipit. /Telegrafi/

Exit mobile version