Angelina Jolie ka arritur një fitore në betejën e saj ligjore me Brad Pitt, pasi gjyqtari i angazhuar është suspenduar nga procedurat e divorcit për shkak të një ankese të paraqitur nga aktorja.
Çifti ka qenë në një betejë gjyqësore për kujdestarinë e fëmijëve të tyre qëkur bukuroshja hollivudiane bëri kërkesë për shkurorëzim në 2016.
Gjyqtari privat, John Ouderkirk, në maj të këtij viti mori një vendim që i dha aktorit kujdestarinë e përbashkët, por një gjykatë e Kalifornisë të premten ra dakord me apelin e Angelinas për të hequr gjyqtarin nga çështja.
Në vendimin e saj, gjykata e apelit tha se gjyqtari Ouderkirk nuk i ka treguar marrëdhëniet biznesore me avokatët e Pitt.
Kjo ishte një “shkelje etike” që mund të vinte në dyshim “aftësinë e gjykatësit për të qenë i paanshëm” – tha gjykata. Vendimi do të thotë se do të duhet të fillojë një betejë e re ligjore për pesë fëmijët e çiftit para një gjykatësi tjetër.
Gjyqtarët privatë shpesh punësohen në SHBA për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet midis personave të famshëm të divorcuar për të ruajtur privatësinë.
Një zëdhënës i Pittit ka thënë se vendimi ishte bazuar në një çështje teknike. “Provat faktike” që çuan gjyqtarin Ouderkirk të merrte një vendim në maj nuk kanë ndryshuar – ka shtuar ai.
Edhe pse Jolie dhe Pitt arritën një marrëveshje kujdestarie në vitin 2018, ajo dështoi, ashtu që vendimi se kujt do t’i përkasin fëmijët do të merret në të ardhmen nga gjykata. /Telegrafi/