Telegrafi

Suspendohen tre zyrtarë policor nga Podujeva, nuk ndërhynë në një dasmë që po mbahej në këtë komunë

Tre zyrtarë policor nga Podujeva mbrëmë janë suspenduar nga puna.

Suspendimi i tyre ka ardhur për shkak të dyshimit se të njëjtit nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare që sipas IPK-së, të njëjtit edhe pse kishin pasur informacion nuk ndërhynë në një aheng familjar-dasmë, i cili mbahej në një restorant duke shpërfillur kështu vendimin e qeverisë.

“Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë (09 Gusht 2020), gjatë realizimit të Planit Operativ “Monitorimi i respektimit të vendimeve mbi zbatimin e masave parandaluese kundër përhapjes së Covid-19”, ka hasur në mos zbatim të Vendimit të Qeverise së Republikës së Kosovës për masat ndaj Covid-19 nga tre zyrtarë policorë në Podujevë.

Krahas kësaj të njëjtit dyshohen edhe për mos zbatimin e Urdhrit Operativ të policisë për gatishmëri dhe reagim për Covid-19 duke mos reaguar në një informatë që kishin pranuar për mbajtjen e një ahengu familjar (dasmë) në komunën e Podujevës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Telegrafin.

Si pjesë e procedurave administrative hetimore të njëjtit janë suspenduar me rekomandim të IPK-së . /Telegrafi/