Site icon Telegrafi

Suspendohen tre mjekë në QKUK, nuk ishin në vendin e punës

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë suspenduar tre mjekë pasi që gjatë inspektimit që është bërë nëpër klinika, ata nuk kanë qenë fare në vendin e punës. Me këtë rast, edhe tre mjekë të tjerë së bashku me dy infermierë kanë dalë në Komision Disiplinor.

Këtë e ka bërë të ditur vet ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, përmes një postimi në Facebook, i cili ka thënë se mungesa e tyre në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dike, prandaj askush nuk do të falet.

Postimi i plotë i ministrit Ismaili:

“Porsa u njoftova nga Bordi i SHSKUK-së, se gjatë një inspektimi, të cilin e ka bërë drejtori i këtij institucioni Basri Sediu, gjatë natës së djeshme, në disa klinika nuk i ka gjetur fare në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë. 

Si rrjedhojë, 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor përfshirë edhe 2 infermierë.

Duke e mirëkuptuar punën e vështirë dhe lodhjen e madhe që mund ta kenë gjatë ushtrimit të profesionit, mungesa në vendin e punës nuk e arsyeton askënd.

Mungesa e tyre në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dikë. Ne po punojmë çdo ditë që të përmirësojmë kushtet për personelin mjekësor në vend, siç bëmë ditë më parë duke rritur pagat e kujdestarive për ta, por çdokush që sillet në mënyrë të papërgjegjshme karshi punës dhe qytetarëve tanë, nuk e meriton të jetë aty.

Këtë sjellje nuk e meritojnë mijëra profesionistë shëndetësorë, të cilët e bëjnë punën e tyre me nder dhe përgjegjësi, që të njollosen nga raste të tilla. Prandaj, në këto situata, nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të falet”, ka shkruar Ismaili. /Telegrafi/

Exit mobile version