Mbi 20 zyrtarë policorë në Gjermani janë suspenduar nga detyra për shpërndarje të fotografive të Adolf Hitlerit dhe të refugjatëve nëpër dhomat e gazit, imazhe këto që i kishin pasur të ruajtura nëpër telefona, shkruan BBC.
Zyrtarët policorë përdornin “chate” të ndryshme ku shpërndaheshin fotografi të simboleve naziste, kanë bërë të ditur zyrtarë të Rhine-Westphalia, transmeton Telegrafi.
Ministri i Brendshëm i NRW, Herbert Reul, ka deklaruar se ishte “turp për policinë e NRW-së”.
Kjo po ndodh në vazhdën e incidenteve tjera të ekstremit të djathtë, ku disa prej tyre shërbejnë në organe të sigurisë gjermane.
Mbi 200 policë ishin përfshirë në operacionet e bastisjet në 34 stacione policore dhe shtëpi private, që besohet që kishin lidhje me të dyshuarit.
Raportohet se këta zyrtarë policorë – më saktë thënë 21 prej tyre kishin shpërndarë në një grup privat në WhatsApp mbi 100 imazhe neo-naziste.
Ndaj disa të dyshuarve rëndojnë akuza për përhapje të propagandës naziste dhe për gjuhë të urrejtjes, derisa disa tjerë për mos raportim të veprimeve të kolegëve të tyre. /Telegrafi/