Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar sot pas suspendimit të policit Amir Hoxha, i cili kritikoi shpenzimet e deputetëve dhe shprehu pakënaqësinë e tij për mospagesën e shujtave për policët.
Molliqaj në një postim në Facebook shkruan se përjashtimi i policit nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar.
Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:
Polic i mirë është polici i (pa)dëgjueshëm
Nuk ka profesion më të keqpërdorur nga qeveria Kurti, sesa ai i policit. Mbani mend skenat në veri për hesape elektorale?
Por kontrolli nga sipër, që vie duke u rritur, po fillon me ata që cenojnë idiliken e demokracisë. Polici i përjashtuar nga puna shpërfaqi kontradiktën në mes të privilegjeve të atyre në pushtet dhe kushteve të vështira të punëtorit. Prandaj u largua. Ai tha shumë, me pak fjalë. Polici nuk është trup në shërbim të privilegjeve të shefit.
Kushtet e punës, pa sigurim shëndetësor e me orar e terren të vështirë pune, ditë e natë, policin e dobësojnë. Mbajtja nën kushte minimale është shfrytëzim. Sindikata e policisë duhet të zgjohet.
Polici nuk është robot. Përjashtimi nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar. Arkitektura e nënshtrimit është e gatshme. Shembja e saj domosdoshmëri.
Por sikur në secilin profesion, njeriu nuk është i reduktueshëm në punën që bënë. Polici është edhe qytetar. Amir Hoxha u largua nga puna sepse theu rendin që ia kërkonte heshtjen dhe nënshtrimin. Me përjashtimin e tij u sulmua e drejta demokratike e fjalës dhe e drejta për punë.
Por shembujve për disiplinim që po na jep pushteti duhet t’i përgjigjemi me mësime që jep organizimi sindikal. /Telegrafi/