Telegrafi

Surroi: Viti 2008, vit i dështimit të politikës së jashtme

Në debat u tha se Kosova ende vazhdon të mbetet larg agjendës evropiane. Derisa vendet ballkanike si Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Shqipëria kanë bërë hapa përpara drejt integrimeve euro-atlantike, shumë më prapa mbeten Serbia, Bosnja dhe Kosova. Por, Serbia e Bosnja, megjithatë gjejnë vend në agjendën evropiane për zgjerim.

Sipas kryetarit të Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus i cili shprehu tone pesimiste për të ardhmen evropiane të Kosovës, Kosova nuk përmendet fare në agjendën e BE-së.

Ai ka thënë: “Dy gjëra që i di nga Brukseli janë se në diskutimet që bëhen për vitin e ardhshëm Kosova përmendet fare rrallë në kontekstin e zgjerimit të Evropës, në të vërtetë nuk përmendet kurrë. Kosova aktualisht nuk ka perspektivë kredibile për shkak se nuk është njohur nga të gjitha vendet e BE-së. Në Kosovë mund të bëjë gjëra nga brenda, por në rrugë për në BE zyrtarisht ju ngecni. Për shembull sa i përket regjimit të lirë të vizave-në të gjitha debatet nuk kam dëgjuar asnjëherë të jetë përmendur Kosova".

Me tezen e Knaus është pajtuar edhe publicisti Veton Surroi. Ai është shprehur se viti 2008 është i humbur në përcaktimin evropian të Kosovës. Ai ka thënë se, "Kosova në fakt nuk ka politikë evropiane, nuk ka koncipuar dhe nuk ka treguar se cila është rruga e saj drejt Evropës. Është një deklarim sipërfaqësor për integrimet evropiane, por jo edhe një përcaktim apo politikë bërje të kompozuar për integrimin evropian”.

Surroi përmend tri rreziqet që mund ta devijojnë rrugën e Kosovës drejt BE-së. E para: Definimi i marrëdhënieve të Kosovës me Evropën në atë që do të jetë faza postpavarësisë, pasi Kosova sipas tij nuk ka treguar qartazi se çka do prej misionit evropian; E dyta: Mangësia e dytë, sipas Surroit, është mungesa e një perspektivë të zhvillimit afatmesëm; dhe e treta të përcaktohen prioritet dhe nevojat e kësaj shoqëria karshi BE së.

Ministri i Arsimit në qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj nuk u pajtua që Kosova nuk ka strategji për integrim. Përkundrazi ai është shprehur se integrimi në BE është prioritet i qeverisë. /rtv21/