Telegrafi

Surroi: Procesi i dialogut, me shumë të panjohura

Surroi i ka bërë këto komente në konferencën e organizuar nga KPJ-ja me temën “Sfidat e politikës së jashtme të Kosovës për vitin 2013”, transmeton KTV.

Në këtë debat u diskutua për dialogun e Kosovës me Serbinë, normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve dhe për krijimin e fondit zhvillimor për veriun e Kosovës. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Peter Blumejer, ka rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për dialogun, duke u shprehur së është i sigurt se në fund të këtij procesi do të ketë rezultate pozitive për Kosovën.

Ai ka thënë se në këtë dialog duhet të gjendet edhe një zgjidhje për veriun, duke siguruar se nuk do të ketë ndarje dhe shkëmbim territoresh, porse institucionet e Kosovës do ta shtrijnë autoritetin deri në qershor në atë pjesë të vendit.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit parlamentar për punë të jashtme, Albin Kurti, ka thënë se autonomia për veriun rrezikon të mos përfundojë aty dhe fondi zhvillimor është një uverturë për autonomi, nga i cili krijohet një formë e kantonizimit dhe federalizmit të Kosovës.

Ai ka thënë, ndër të tjera, se ky është edhe fond diskriminues. Lumir Abdixhiku nga Instituti “RIINVEST” e ka vlerësuar fondin për veriun si një buxhet paralel. /Telegrafi/