Telegrafi

Surroi: Prijësit e Kosovës t’i shmangin aventurat e shpjegimit se mos liberalizimi është racizëm

Publicisti Veton Surroi ka reaguar ndaj deklaratave të disa zyrtarëve shtetëror, të cilët shtyrjes së procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën po i japin konotacione të ndryshme, duke e cilësuar edhe si një racizëm.

Surroi, përmes një  postimi në Facebook, ka thënë se “shtetet evropiane kanë përkrahur Kosovën dhe shqiptarët përpjestimisht më shumë se cilindo vend në botë përgjatë shekullit XXI”.

Postimi i plotë i Surroit:

“Prijësit e Kosovës, me belbëzimin e tyre me të cilin ilustrojnë pse gati 80 për qind të nxënësve janë analfabetë funksionalë, bëjnë mirë të mos hyjnë në aventura shpjegimi se si mosliberalizimi i vizave është racizëm me të cilin “raca sipërore” sillet ndaj “shqiptarëve inferiorë”.

Shtetet evropiane kanë përkrahur Kosovën dhe shqiptarët përpjestimisht më shumë se cilindo vend në botë përgjatë shekullit XXI.

Injoranca, me apo pa arrogancë , nuk është masë lehtësuese. Përkundrazi, vetëm ilustron një elitë të kriminalizuar që përpiqet ta zhvendosë vëmendjen te “armiku i jashtëm”” (sic), ka shkruar Surroi. /Telegrafi/