Site icon Telegrafi

Surroi ofron modelin se si duhet t’i përgjigjet Kosova kërcënimit të Erdoganit

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan, sot ka kërcënuar hapur kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke i thënë se kosovarët nuk e meritojnë një kryeministër si ai, dhe se do të paguaj për shkarkimet që ua bëri atyre që ishin të përfshirë na arrestimin e gylenistëve.

Me këtë Erdogan ka shkaktuar incident diplomatik në mes të Kosovës dhe Turqisë.

Publicisti Veton Surroi, lidhur me këtë ka thënë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme në përgjigjen e saj, por vendi ynë duhet të reagojë.

Ai i ka shkruar disa pika, përmes të cilave këshillon Haradinajn se si t’i përgjigjet Erdoganit.

Postimi i plotë i Surroit:

Vendimi për rrëmbim dhe dorëzim të gjashtë qytetarëve turq tashmë ka krijuar edhe incidentin e pritshëm në marrëdhëniet me Turqinë. Reagimi i presidentit Erdogan ishte emocional, ai i Kosovës nuk duhet të jetë i tillë. Megjithatë vendi ynë duhet të reagojë.

Nëse MPJ dëshiron ta bëjë këtë, duke e thirrë ambasadoren turke në Prishtinë ja disa pika që mund të përcillen:

Kosova e konsideron Turqinë një aleate të rëndësishme, që nga ditët e ndërhyrjes së NATO-s për liri, ashtu edhe duke prirë në njohje pas pavarësisë.

Jemi të brengosur me deklarimin e presidentit Erdogan, aq më shumë kur dimë për ndjenjën miqësore që ka për konsolidimin e Kosovës. Fjalët e adresuara ndaj kryeministrit tonë nuk e reflektojnë sensin tradicional të miqësisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të saj për mospërfillje procedurash , ligjesh e normash të Kushtetutës së vendit, me rastin e dorëzimit të gjashtë qytetarëve turq autoriteteve të Turqisë. Qeveria është tejet e brengosur me shkeljen e mundshme të konventave evropiane, që , si shtet evropian, janë pjesë e rregullimit tonë juridik.

Kryeministri i Kosovës është zgjedhur në procedurë të rregullt demokratike. Mandati i tij rrjedh nga vota qytetare dhe ai i përgjigjet asaj. Ashtu si jemi deklaruar çdo herë, pra edhe me përpjekjen anti-kushtetuese të rrëzimit të pushtetit në Turqi më 2015, ekziston vetëm një formë e përfundimit të mandatit të Kryeministrit,ajo është me Kushtetutën e vendit.

Shpresojmë të vazhdojmë komunikimin ,pa këtë barrë të panevojshme emocionale.

Exit mobile version