Telegrafi

Surroi: Ne do ta bëjmë shtetin

Partia Ora ka prezantuar edhe 106 kandidatë për deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe ata për kryetarë të komunave të Kosovës.

“Të gjithë e dimë se Kosova nuk është shtet. Nuk është shtet, jo se nuk e pranojnë shtetet e tjera, Kosova nuk është shtet sepse nuk ka funksionuar si shtet. Ne që jemi këtu, ne jemi ata që e përbëjmë shtetin; nuk do vij tjetërkush ta bëjë; ne do ta bëjmë këtë shtet. Ne mundemi, duam dhe do ta bëjmë shtetin tonë”, ka premtuar Surroi, duke shtuar se Kosova ka potenciale financiare e ekonomike që qytetarëve të vet t’u sigurojë mirëqenie të dinjitetshme, punësim dhe zgjidhjen e problemeve sociale, arsimore e shëndetësore.

Sa i përket statusit të Kosovës, Surroi ka porositur se, “Qytetarët e Kosovës do ta fitojnë pavarësinë e saj, sepse e meritojnë këtë dhe këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare. Por, ky do të jetë proces i vështirë".

Bartësi i listës së Partisë Reformiste Ora, po ashtu ka pyetur se si është e mundur që Kosova është e varfër dhe nuk ka para, ndërsa i ka 1.100 pompa të benzinës, 500 milionë para publike të ngrira nëpër banka të Holandës, apo Gjermanisë.

“Si është e mundur që Kosova të prodhojë para, ato të eksportohen, e mos të jenë në shërbim të qytetarëve të vet? Kjo është e mundur ngase ne nuk menaxhojmë me fatin tonë ekonomik”, është shprehur Surroi.

Derisa kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, Ylber Hysa, ka thënë se Prishtina ka nevojë të ngjyroset, prandaj ai ka vendosur ta keqpërdorë emrin e tij dhe në këto zgjedhje të dalë me parullën, “Ylberi i Prishtinës”.