Publicisti Veton Surroi ka thënë se deklarimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Washington janë deklarime të një historiani amator, e jo të një përfaqësuesit kushtetues të Kosovës.
Surroi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se presidentin e vendit injoranca nuk e mbron nga pasojat juridike dhe politike.
Lexoni të plotë postimin e Surroit në Facebook:
“Hashim Thaçi ka deklaruar në Washington se nuk duhet lejuar krijimin e një asociacioni të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, sepse do të thoshte krijim i Republikës Serbe. Por, më 2013 ishte mu Hashim Thaçi ai që nënshkroi me Serbinë Marrëveshjen e Brukselit me të cilën krijohej Bashkësia e komunave serbe me kompetenca ekzekutive; në formë eksplicite si rrafsh i tretë i pushtetit.
Në Washington poashtu deklaroi se kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk janë vullnet i popullit të saj, se janë produkt i Jugosllavisë. Një deklarim i këtillë është i një historiani amator, jo përfaqësuesit kushtetues të Kosovës në botë.
Kufijtë e tanishëm të Kosovës janë pjesë e shprehjes së vullnetit të qytetarëve të saj për shtet të pavarur;
Shpallja e pavarësisë u bë në këta kufij dhe pas një procesi të gjatë të protektoratit e të negociatave ndërkombëtare.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me mendimin e saj të korrikut të vitit 2010 ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, Gjykata ka vlerësuar se procesi i gjatë, me protektorat të vendosur me Rezolutën 1244 të KS të OKB në kufijtë e tanishëm të Kosovës dhe me negociatat nën udhëheqjen e presidentit Ahtisaari të cilat krijuan bazën ndërkombëtare për njohjen e Kosovës në kufijtë që ka, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Biseda për kufij mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete me konflikt të papërfunduar është juridikisht rihapje e tërë procesit që solli pavarësinë e vendit dhe njohjen e kufijve të Kosovës si kufij ndërkombëtar nga mbi 100 shtete dhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të saj nga ana e NATO-s.
Historiani amator ka të drejtë të elaborojë sipas qejfit interpretimet rreth kufijve, por presidenti i vendit jo.
Historiani amator ka të drejtë të jetë injorant. Presidentin e vendit injoranca nuk e mbron nga pasojat juridike dhe politike.
Varrezat e Evropës, përfshirë edhe ato në Kosovë, janë përplot viktima të historianëve amatorë e presidentëve injorantë”. /Telegrafi/