Arrestimin e Azem Sylës dhe operacionin për lirimin e pronave të uzurpuara, Veton Surroi e ka quajtur matje të pulsit, duke potencuar se një shtet i kapur si Kosova e ka të vështirë të kalojë në një shtet ku sundon ligji.
Por, ai beson se shoqëria kosovare nuk do të mund të jetojë gjithmonë nën thundrën e krimit të organizuar, transmeton Koha.net.
“Misteret e krimit janë mistere për mua”, ka thënë Surroi në KTV për emisionin “Rubikon”.
Në anën tjetër, përpjekjet për krijimin e një partie të re politike duke iu referuar iniciativës së Ilir Dedës e sheh si të vështirë në një hapësirë të zënë me parti tjera, madje e krahason atë me punën e minatorëve.
Krijimi i konsensusit brenda të cilit mund të gjendet çdo gjë është forma e vetme që i ka ngelur pushtetit ta përdorë për të nxjerrë vendin nga bllokada disa mujore, ka thënë Surroi.
Ndërsa për pushtetin, ai ka thënë se nuk duhet t’i procedojë këto çështje sikur nuk ka ndodhur asgjë.
“Të thuash se do t’i procedojmë sikur të mos kishte ndodhur gjë, është ofendim. Është ofendim ndaj institucioneve, ndaj qytetarëve të Kosovës dhe në fund të fundit është kundër interesave të vendit. Asnjë qeveri nuk duhet të ndryshojë kahjen historike të Kosovës, e kahja historike është e pavarësisë së plotë, demokratizim, vend anëtar i NATOS”, tha Surroi.
Ndërsa në anën tjetër opozita, sipas publicistit dhe shkrimtarit Surroi, duhet të qartësoj qëndrimet e veta dhe nëse ka një ide tjetër duhet ta prezantojë atë.
‘Ekipi negociator i këtyre kësaj marrëveshje në Bruksel ka bërë vetëm hapa ndryshe”, ka thënë ai më tej.
“Ekipi negociator i kësaj radhe është më i dobëti. Ata kanë filluar negociatat më 2010 kur kemi qenë në favor për shkak të vendimit të GJND-së, dhe për gjashtë vjet kanë bërë vetëm hapa prapa. Ka vetëm shpenzim energjie, kohe e paraje”, ka shtuar Surroi.
Ai i rekomandoi qeverinë që lehtësinë që përdor në dialogun me palën serbe ta praktikojë edhe për të dialoguar me opozitën vendase.
“Ajo që nuk harrohet është se Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare të cilët çdo ditë do të trokasin në dyer dhe të shohin se ku janë me këto vendime”, përfundoi Surroi.