Publicisti i njohur kosovar, Veton Surroi, ka deklaruar se sulmi i fundit në Kosovë përbën një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Surroi vuri në pah rëndësinë e trajtimit të sigurisë dhe nevojën për garanci ndërkombëtare në procesin e dialogut.
“Ky shpërthim është analog me sulmet që bën Rusia në Ukrainë, kundër infrastrukturës kritike,” tha Surroi.
Ai shtoi se, ndonëse në rastin e Rusisë përdoren armë dhe dronë, në Kosovë është përdorur eksploziv, çka e bën situatën po aq shqetësuese.
“Në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me veprim terrorist. Por ndikimi i shpërthimit është përshkallëzim i mëtejshëm dhe është tepër brengosës,” theksoi ai.
Surroi kritikoi strukturat serbe të sigurisë, duke vënë në dyshim dijeninë e tyre për sulmet.
“Këto janë gjëra të ndërlikuara që kanë të bëjnë me sigurinë, por që janë tepër të nevojshme për të krijuar bazat e një besimi të ndërsjellë,” theksoi ai.
Sipas Surroit, moszbatimi i marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja ka dëshmuar dobësinë e ndërmjetësve.
“Ndoshta nuk po i jepet fund dialogut, por po i jepet fund besimit se vetëm me këto veprime mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë,” tha ai, duke sugjeruar një qasje të re me garanci më të forta ndërkombëtare.
“Serbia disa herë ka deklaruar se nuk mund ta pranojë marrëveshjen në tërësi. Kjo ka dëshmuar dobësinë e ndërmjetësve,” shtoi Surroi.
Ai bëri thirrje për një qasje më serioze nga bashkësia ndërkombëtare për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme.
Duke parë përpara, Surroi shprehu pritshmëritë e tij për administratën e ardhshme të SHBA-së.
“Mendoj se administrata e Presidentit të zgjedhur Donald Trump do ta shikojë çështjen e Kosovës brenda një konteksti shumë më të gjerë, atë të luftës së Rusisë dhe zhvillimit të botës euro-aziatike,” tha ai.
Surroi paralajmëroi për rreziqet e një ndarjeje të re gjeopolitike në rajon.
“Në çerek shekullin e ardhshëm, nëse vazhdon gjendja e tanishme, vija ndarëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë mes botës euro-atlantike dhe euro-aziatike.”
Në fund, Surroi theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të forta me SHBA-në, duke theksuar se Kosova është shteti më pro-amerikan në Evropë dhe kjo është një letër hyrëse për komunikim me cilëndo administratë.