Telegrafi

Surroi: Delegati Riza Lluka edhe i rrethuar me tanke nga Serbia në vitin 1989 ruajti dinjitetin e Kosovës

Publicisti Veton Surroi ka kujtuar sot delegatin e Kuvendit të Kosovës, Riza Lluka nga viti 1982 deri me 1990, i cili edhe pse i rrethuar me tanke serbe në mars të vitit 1989 kishte ruajtur dinjitetin e Kosovës, popullit, familjes dhe të tijin personal.

Surroi e kujtoi delegatin Lluka në ditën kur sot në rend dite në Kuvendin e Kosovës është mocioni i mosbesimit të Qeverisë Kurti në periudhën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.

“Riza Lluka, i rrethuar me tanke serbe në mars të vitit 1989, ruan dinjitetin e Kosovës, popullit , familjes dhe të tijin personal. Kurrë nuk harrohet!”, shkruan publicisti Veton Surroi.

Riza Lluka ishte delegat i Kuvendit të Kosovës, nga viti 1982 deri me 1990, anëtar dhe kryetar i Këshillit për urbanizëm dhe punë komunale në ish-Dhomën e Punës së Bashkuar të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të institucioneve paralele, por atëherë si anëtar i Partisë Parlamentare (1992-1998), ishin disa prej angazhimeve të Riza Llukës që e bën atë njërin prej personaliteteve me ndikim dhe kontribut në çështjen e shqiptarëve të Kosovës.

Karriera politike e Riza Llukës mbetet e bujshme. Ai kujtohet si një njëri me tolerancë fetare dhe si një misionar i guximshëm i të shprehurit shqip, edhe atëherë kur kjo i rrezikonte jetën.

Nga miqtë e kolegët e tij që nga rinia, Riza Lluka kujtohet si kontribuues i madh në mbrojtjen e kauzës kombëtare, që nga rinia e hershme e deri në minutat e fundit të jetës së tij. /Telegrafi/