Telegrafi

Supremja refuzon ankesat e të dyshuarve për shpërthimin në bulevardin “Bill Clinton”

Kjo është hera e dytë që Gjykata Supreme, në cilësinë e instancës së shkallës së tretë, refuzon ankesat e paraqitura nga këta të pandehur.

Trupi gjykues i ka refuzuar si të pabaza ankesat e paraqitura nga Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi dhe ka mbështetur vendimin e mëparshëm të Gjykatës Supreme, e cila asokohe kishte vepruar si instancë e shkallës së dytë. Në atë kohë, trupi gjykues i Gjykatës Supreme e kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për dënimin e të pandehurve për vepra penale të vrasjes së rëndë në bashkëpjesëmarrje dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore në bashkëpjesëmarrje.

Rasti ka të bëjë me shpërthimin që kishte ngjarë në katin përdhes të ndërtesës që ndodhet në Bulevardin Bill Clinton, Lagja e Dardanisë, në Prishtinë, më 24 shtator 2009. Nga pasojat e këtij shpërthimi kishin humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë ishin lënduar. /Telegrafi/