Telegrafi

Supremja kthen në rigjykim një akuzë për gjyqtarin Kolë Puka

Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të dënuarit K.P., për shkak të veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprën penale pastrim i parave ka miratuar pjesërisht Kërkesën për Mbrojtjen e Ligjshmërisë, të mbrojtësit të të dënuarit K.P.,  duke anuluar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, vetëm përkitazi me veprën penale pastrimi i parasë, dhe çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

Pjesa tjetër e aktgjykimit është ndryshuar vetëm përkitazi me dënimin e shqiptuar, ashtu që për veprën penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore  dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6  muaj, e merr si të vërtetuar, kurse për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite, po ashtu e merr si të vërtetuar, ashtu që i shqipton dënim unik burgimi, në kohëzgjatje prej 3 vite e 4 muaj.

Lexo po ashtu Gjyqtarit Kolë Puka i Konfiskohet Pasuri në Vlerë Mbi 1 Milion Euro

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, të dënuarit K.P., i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues – ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbime publike si dhe ushtrimi i profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej 3 vite, duke filluar nga dita e përfundimit të ekzekutimit të dënimit me burgim.

“I është konfiskuar pasuria si rezultat /përfitim nga kryerja e veprës penale si: banesë në Klinë; banesë në Prishtinë, patundshmëri në të cilën është e ndërtuar një shtëpi në Ulqin; parcelë në Ulqin; patundshmëri në Ulqin; patundshmëri – livadh në Ulqin; parcela në Ulqin, patundshmëri në Ulqin; shtëpi dy kate, në Klinë; si dhe tokë bujqësore; lokal afarist në Klinë; automjeti ‘Audi A6’ dhe mjete financiare nga shitja e dy lokaleve afariste, paraprakisht të blera nga K.P”, thuhet në njoftim.

Në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, të ushtruar nga avokati mbrojtës i të dënuarit, pretendohet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, përmban shkelje të ligjit penal, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të dispozitave përkitazi me konfiskimin e pasurisë etj.

Gjykata Supreme, në seancën e mbajtur, shqyrtoi të gjitha shkresat e çështjes dhe konstatoi se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është pjesërisht e bazuar. /Telegrafi/