Site icon Telegrafi

Superliga vazhdon të braktiset

Ky është një sinjal se Superliga e Kosovës po pëson dhe nëse vazhdohet me këtë ritëm, pranvera mund të jetë shumë më e varfër se sa ishte vjeshta, pavarësisht se disa skuadra mëtojnë të luftojnë për titull të kampionit. I fundit që u largua nga futbolli i Kosovës për t’ iu bashkuar atij shqiptar është mesfushori Ahmeti Haliti që në vjeshtë ishte pjesë e Hysit. Ai iu bashkua Besës së Kavajës, derisa ka njoftuar se këtë e ka bërë për shkak të kushteve shumë më të mira që ofron superliga shqiptare.

“Në Shqipëri kushtet për punë dhe ato financiare janë shumë më të mira se në Kosovë. Jam shumë i kënaqur me arritjen e marrëveshjes dhe premtoj se do ta jap maksimumin në mënyrë që t’i dëshmoj cilësitë që kam”, ka thënë Ahmet Haliti, i cili në pranverë do të bartë fanellën e “ekipit kosovar”, Besës së Kavajës.

Deri më tash kampionatit të Shqipërisë i janë bashkuar Liridon Ahmeti tek Partizani, Armend Kastrati, Lulzim Doshlaku dhe Alban Shillova te Bylisi. Në Maqedoni në verë do të luajë sulmuesi Astrit Fazliu, derisa kampionati i Kosovës pritet të varfërohet edhe nga disa futbollistë të Besës, të cilët mund t’i bashkohen kampionatit malazez, gjë të cilën ditë më parë e bëri futbollisti i Trepçës’89, Fetim Kasapi. Për trajnerin e Dritës, Arbnor Morina, kjo dukuri nuk është e mirë për futbollin, por me këtë dëshmon se në Kosovë ka trajnerë të mirë që po punojnë me futbollistë dhe po nxjerrin cilësi nga ta.

“Derisa nuk rregullohen aktet nënligjore që lidhen me lehtësime fiskale, futbolli ynë nuk pritet të përparojë shumë. Pra gjithçka lidhet me këtë fakt i cili do të mundësonte bizneseve që më lehtë të kyçen në sport dhe të investojnë aty. Përndryshe largimi i lojtarëve që po bëhet ngjashëm si vitin e kaluar kur gjithashtu pati shumë ikje nga kampionati i Kosovës, e varfëron atë, por në një aspekt është e mirë për futbollin kosovar pasi që tregon se këtu ka diçka me vlerë, por nuk ka kushte financiare e të cilat futbollistët tanë po i detyrojnë të kërkojnë Shqipërinë e Maqedoninë”, tha Arbnor Morina. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version