Telegrafi

Superkupa e Evropës: Villarreali këndellet në pjesën e dytë, shënon dhe e dërgon ndeshjen në vazhdime

Superkupa e Evropës është duke u zhvilluar në Belfast, ku Chelsea po përballet me Villarrealin, në ndeshjen që 90 minuta u mbyllën 1-1.

Fituesi i Ligës së Kampionëve ishte më i mirë nën çdo aspekt në pjesën e parë duke dominuar tërësisht.

Goli për Chelsean erdhi në minutën e 27-të pas një aksioni shumë të bukur. Kai Havertz gjeti në zonë Hakim Ziyechin i cili nga afër shënoi për 1-0.

Deri në fund të pjesës së parë nuk kishte më gola dhe Chelsea shkoi në pushim me epërsi prej një goli.

Në pjesën e dytë Villarreali u këndell dhe rrezikoi që në start, duke iu afruar golit me Gerard Morenon në minutën e 52-të.

Në minutën e 68-të, sërish një rast i mirë për ‘Nëndetësen e verdhë’, ku Pervis Stupinan gjuajti, por Mendy ishte në vend.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 73-të, kur Boulaye gjeti Gerard Moreno, i cili me një gjuajtje të bukur shënoi për 1-1.

Pas golit të barazimit, skuadrat nuk rrezikuan dhe koha e rregullt u mbyll baras, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime. /Telegrafi/