Telegrafi

Super Ronaldo dërgon Real Madridin në gjysmëfinale (Video)

Cristiano Ronaldo ka marrë mbi supe skuadrën e Real Madridit duke e dërguar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

CR7 arriti të shënojë het-trik duke e zhvlerësuar fitoren prej 2-0 të Wolfsburgut në ndeshjen e parë.

Mbretërit e filluan ndeshjen shumë mirë duke kaluar në epërsi në minutën e 16-të me Ronaldon që shënoi nga afërsia.

Ujqërit ende pa u këndellur nga goli i parë, pësuan të dytin.

Ishte përsëri portugezi që me një goditje të bukur me kokë shënoi në portën e Diego Benaglio.

Në pjesën e parë Real Madrid kishte edhe raste tjera, por nuk arriti ta sigurojë fitoren në këtë pjesëlojë.

Në pjesën e dytë Reali ishte më i kujdesshëm, duke ruajtur më shumë rezultatin se në pjesën e parë.

Kur ndeshje po shkonte drejt vazhdimeve, Ronaldo në minutën e 77-të, me një gjuajtje të fortë nga goditja e dënimit shënoi për 3-0.

Pas golit të tretë mbretërit kishin rast të mirë edhe me Benzema e Jese, por pa arritur të ndryshojnë shifrat.

Real Madridi siguroi gjysmëfinalen së bashku me Manchester Cityn. /Telegrafi/