Platforma qeveritare Super Puna njofton se janë suspenduar 20 biznese, si rezultat i mos respektimit të kushteve.
Sipas platformës, këto shkelje janë vërejtur gjatë monitorimit në teren të përfituesve.
“Gjatë monitorimit në teren të këtyre bizneseve monitoruesit kanë vërejtur që punëtorët të cilët figurojnë si të punësuar në ato biznese, nuk kanë qenë prezent në vendin e punës. Me këtë rast, Super Puna ka suspenduar profilet e këtyre bizneseve duke ua pamundësuar që të përfitojnë sërish nga subvencioni”, thekson Super Puna.
Kjo platformë kërkon nga bizneset që t’u përmbahen detyrimeve të tyre.
“Monitorimi i bizneseve përfituese nga platforma Super Puna është i rregullt dhe i vazhdueshëm. Andaj, udhëzojmë bizneset që t’u përmbahen detyrimeve të tyre, ashtu që në vazhdimësi të kenë mundësinë të përfitojnë nga politikat mbështetëse të Qeverisë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/