Site icon Telegrafi

Super-Peja, Super-Shaptahu

Në palestrën “Karagaçi” ishin mbledhur mbi 1200 shikues për ta motivuar skuadrën e tyre të zemrës në këtë përballje të rëndësishme.

Çereku i parë nuk ishte edhe shumë i mirë për pejanët, të cilët nuk arritën ta imponojnë lojën e tyre dhe si pasojë e përmbyllën me shtatë pikë disavantazh, 12-19.

Vendasit nuk luajtën më mirë as në çerekun e dytë, pasi që nuk funksiononte pothuajse asgjë në repartin ofensivë, e aq më pak në atë të mbrojtjes ku lojtarët mysafirë depërtonin pa asnjë problem. Malazezët e shfrytëzuan mirë këtë krizë në lojën e verdhezinjëve dhe e ngritën epërsinë në 17 pikë, 24-41.

Nga përgjumësia e pakuptueshme në pjesën e parë, Peja bëri një rikthim fantastik në pjesën e dytë duke e zvogëluar epërsinë e thellë deri në dy pikë, 52-54, e më meritori për këtë ishte Samir Shaptahu që më trepikëshat e tij e ktheu skuadrën në lojë.

Me të filluar çereku i katërt Peja e barazoi rezultatin, e me pastaj Hajrizi me trepikëshin e tij i kaloi verdhezinjtë për herë të parë në epërsi. Kësaj valle iu bashkua edhe Shaptahu me disa trepikësha tjerë për t’ia siguruar Pejës edhe fitoren e dytë në Ligën Ballkanike.

Më i miri i kësaj ndeshje dhe lirisht mund të themi edhe heroi i këtij takimi padyshim se ishte Samir Shaptahu, i cili shënoi 27 pikë, prej tyre gjashtë trepikësha, tre asistime dhe dy topa të vjedhur.

Peja me këtë fitore ngritët në pozitën e shtatë me 8 pikë, ndërsa me 18 dhjetor do të përballet me kampionin aktual të kësaj lige, Galil Gilboan në palestrën Karagaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version