Telegrafi

Super-heronjtë sjellin buzëqeshje tek fëmijët që po trajtohen në Pediatri

Aktiviteti tradicional “Superheronjtë”, është organizuar edhe këtë vit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)-Klinikën e Pediatrisë.

SHSKUK njofton se me organizim të QKUK-së, Klubit “Alpin Prishtina” (KAP), organizatës “Care For Kosovo Kids” alpinisët e KAP u lëshuan me litarë nëpër ballkonet dhe dritaret e Klinikës së Pediatrisë, duke shpërndarë dhurata për fëmijët që po marrin trajtim mjekësor në QKUK.

Duke vlerësuar organizimin e këtij aktiviteti, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, tha se në kuadër të Listës Esenciale të barnave është rritur numri i  tyre, e që do të mundësojnë trajtim më të mirë për fëmijët.

“Aktivitete e tilla janë të mirëseardhura, ngase krahas trajtimit shëndetësor, fëmijët kanë nevojë edhe për trajtim shpirtëror”, u shpreh ai.

Mrika Karaçi, menaxhere për aktivitete në “Care for Kosovo Kids”, duke treguar për aktivitetin, theksoi se organizimi i tillë është bërë me qëllim të ngritjes së fondeve për trajtim të fëmijëve me kancer. /Telegrafi/