Telegrafi

“Super gjyshi” nga India, si fëmijë i mbijetoi gripit spanjoll – tani 106-vjeç fitoi betejën ndaj coronavirusit

Një burrë nga India që i ka 106 vjet mund lirisht të thuhet që bartë titullin e “super gjyshit”. Si fëmijë i mbijetoi gripit spanjoll gjatë vitit 1918, kurse tani ka fituar edhe betejën kundër coronavirusit, transmeton Telegrafi.

Ky super gjysh është shëruar COVID-19 dhe është liruar nga spitali, kurse në spital për t’u shëruar tutje kanë mbetur biri i tij 70-vjeç, gruaja dhe dy anëtarë tjerë të familjes.

“Deri më tani ai është pacienti i vetëm që i ka mbijetuar gripit spanjoll dhe coronavirusit. Ai jo vetëm që është shëruar, por është këndellur më shpejtë sesa anëtarët e tjerë më të rinj të familjes së tij”, ka deklaruar një nga mjekët e klinikës “Radziv Gandi” ku ai ishte trajtuar.

Mjekët ishin të befasuar me shërimin e tij, pasi që me kalimin e viteve imuniteti dobësohet dhe gjasat për shpëtim janë më të vogla.

Sipas tyre, nuk ekziston ndonjë e dhënë zyrtare që ky i moshuar të ketë qenë i sëmurë nga gripi spanjoll, sepse nuk ekzistojnë dokumentacione të asaj kohe.

Megjithatë, asokohe ai i kishte 4 vjet dhe ekzistojnë gjasa të mëdha që ai të jetë prekur nga gripi spanjoll, që në veçanti godiste fëmijët dhe të rinjtë.

Gripi spanjoll e cila në tri valë gjatë vitit 1918 ua mori jetën nga 17 deri në 40 milionë njerëzve, në veçanti kishte goditur rëndë Indinë. /Telegrafi/