Telegrafi

Sundimtari ushtarak i Sudanit shpall gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare

Kreu i Këshillit Sovran të Sudanit, Gjenerali Abdel Fattah Abdelrahman Burhan ka shpërndarë këshillin dhe kabinetin dhe ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin.

Lajmin e bëri të ditur përmes një fjalimi të drejtpërdrejtë televiziv, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Sovran – që mbikëqyrin tranzicionin në qeverisjen demokratike – janë liruar nga postet e tyre, tha ai.

Ai gjithashtu shpërndau të gjitha qeveritë shtetërore dhe largoi qeveritarët nga postet e tyre.

Gjenerali tha se një qeveri e përkohshme do të shpallet para fundit të nëntorit dhe deklaroi se zgjedhjet e përgjithshme për të hapur rrugën drejt një qeverie civile do të zhvillohen në korrik të vitit 2023.

Deklarata e tij vjen pasi Ushtria e Sudanit ka vendosur në arrest shtëpie kryeministrin Abdalla Hamdok dhe një pjesë të kabinetit të tij. /Telegrafi/