Site icon Telegrafi

Haradinaj: Qeveria e përkushtuar në zbatimin e prioriteteve të ERA

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në takimin e rregullt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, të kryesuar nga ministrja Dhurata Hoxha, për të debatuar rreth rishikimit të Agjendës për Reforma  Evropiane (ERA) si dhe diskutimi e miratimi përfundimtar i prioriteteve të reja.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se takimi i sotëm është dëshmi e seriozitetit që kanë institucionet e vendit, posaçërisht Qeveria, që tashmë kanë krijuar një njohuri dhe vetëbesim më të madh dhe nivel të detyrës.

“Ajo që na mbetet, është që në periudhën që kemi para vetes, sa i përket prioriteteve të ERA II, t’i evitojmë mangësitë e të kaluarës, në raste të caktuara pasaktësitë në identifikim të veprimit”, tha kryeministri Haradinaj, duhet shtuar se në të ardhmen akterët e përfshirë duhet të jenë ndërveprues dhe të kenë bashkëpunim të mirë ndërinstitucional.

Kryeministri Haradinaj shprehu respekt për gjithë punën që është bërë, për zbatimin e prioriteteve të ERA I dhe zbatimin që do të bartet në ERA II, identifikimin e prioriteteve të ERA II, për të cilat do të dakordohen për dinamikat implementuese.

Kryeministri Haradinaj tha se më në fund ka një qartësi më të madhe në zbatim nga ana tyre dhe se mund të flitet për sukses.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se,  janë mbledhur për të diskutuar prioritetet e ERA II apo procesit që ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Bashkimit Evropian, gjegjësisht edhe Zyrën e Komisionerit Hahn.

Pas përmbledhjes që i bëri zbatimit të ERA I dhe prioriteteve që kanë pasur, ministrja Hoxha tha se ERA II ka gjithsejtë 19 prioritete të ndara në tri shtylla. Shtylla e parë: Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, që i ka pesë prioritete; Shtylla dytë: Konkurrueshmëria, klima e investimeve dhe zhvillimi i qëndrueshëm, që i ka gjashtë prioritete; dhe Shtylla tretë: Punësimi dhe arsimi, që ka tetë prioritete.

Ministrja Hoxha tha se ERA e ka pasur një afat kohor një vjeçar, ndërsa ERA II ka një afat kohor deri në fund të vitit 2020.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe ministrat, Bedri Hamza, Valdrin Lluka, Shyqiri Bytyqi, Abelard Tahiri, Skender Reçica, Ekrem Mustafa, të cilët në fjalën e tyre janë zotuar se do t’i çojnë përpara këto procese që lidhën me ERA II.

Exit mobile version