Site icon Telegrafi

Sundimi i rendit e ligjit dhe largimi i pengesave zhvillon ekonominë

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomik Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, kanë vizituar sot komunën e Istogut, ku janë pritur nga Kryetari i komunës Haki Rugova i cili i njoftoj lidhur me klimën e të bërit biznes në komunën e Istogut.

Kryetari Haki Rugova, tha se iniciativa e presidentes është shumë e qëlluar. Ai e njoftoi presidenten lidhur me përkrahjen e vazhdueshme që komuna e Istogut u ka bërë bizneseve, duke u krijuar kështu klimë të favorshme për operim , ku i ka liruar nga disa taksa komunale në mënyrë që këto biznese të kenë sa më të lehtë të bërit biznes.

Presidentja Atifete Jahjaga, u shpreh se në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane dhe Odën Ekonomike Gjermane, kanë vendosur të fillojmë vizitat nëpër komuna të Kosovës për të nxitur një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet e huaja.

“Është tashmë e qartë që zhvillimi ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të ligjit dhe konkurrencë të barabartë. Vizita ime së bashku me Odat ekonomike ka për qëllim adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në Kosovë”, theksoi Presidentja Jahjaga Në Istog.

Ndërkaq drejtuesit e odave ekonomike në Kosovë kërkuan një bashkëpunim sa të madh në mes tyre dhe Komunës së Istogut. /Telegrafi/

Exit mobile version